Ditë Terrori në Gjirokastër…
nga kujtimet e Tomor Q. Kokalarit
Nga gjithë kujtimet dhe ngjarjet e përjetuara gjatë luftës do të veçoja ndoshta më të dhimbshmen dhe më tragjiken për qytetarët e Gjirokastrës…
Aty nga mesi i nëntorit 1943 partizanët kishin rrethuar qytetin. Më pas hynë në qytet dhe rrethuan shtëpitë e disa prej nacionalistëve. Në godinën e gjimnazit u vendos shtabi partizan me Shefqet Peçin, Islam Radovickën, Shemshi Totozanin, etj. Në shkollë sollën njeri pas tjetrit nacionalistët e arrestuar. Ata të gjithë ishin njerëz që gëzonin respektin dhe simpatinë e gjirokastritëve dhe veç faktit që kishin pikëpamje të kundërta me komunistët as kishin marrë pjesë në luftë kundra tyre dhe as kishin kryer ndonjë krim.
I arrestuari i parë ishte Muzafer Shehu.
Atë e sollën ashtu siç e kishin gjetur vetëm me çorape leshi, me këmishë të bardhë dhe me jelek të zi. Pasi e futën për 2-3 minuta në lokalin e shkollës ku u komunikohej vetëm: “Gjyqi partizan ju ka dënuar me vdekje…”, e nxorrën dhe e pushkatuan tek godina karabina që ishte ngritur në kopshtin e Dalipajve.
Tërë këto veprime ne i ndiqnim nga dritaret e shtëpisë të tmerruar.
Më pas pushkatuan dhe djalin e tij, Duron dhe njëkohësisht u dogjën edhe shtëpinë…
I dyti i arrestuar ishte Sefedin Hadëri, të cilin partizanët e vranë duke e qëlluar me revole në kokë mu para shkollës “Drita”.
Babai ishte bërë meit, duke parë i llahtarisur atë që po ndodhte para syve tanë. Që të dy, si Muzaferin edhe Sadedinin i kishte shokë dhe shumë miq…
Pas tyre, njeri pas tjetrit sollën dhe vranë vëllanë e Ajdin Matos, Tajar Çarçanin, Vasil Shahinin, Hajro Laten, Emin Kokalarin, Qemal Libohovën, Boço Kalon. Shumica e tyre mbetën të vrarë përreth murit të kopshtit tonë.
Kam të gjallë para syve pushkatimin e Boços. Ishte një burrë i shëndetshëm, me mustaqe të zeza, vishej zakonisht me të bardha. Për të kisha dëgjuar të thoshin se ishte shumë trim. Gjithashtu thoshin “Boçon s’e zë plumbi”. Si e nxorrën nga “gjyqi partizan” e sollën tek muri i kopshtit tonë për ta ekzekutuar. “Kthehu mbrapa!” – i thanë partizanët. Ai u përgjigj: “Burrat e kanë zakon t’i presin plumbat me gjoks përpara” dhe vazhdoi: “Vetëm djalin, mos ma vrani”.
Tarja, djali i Boços kish pasë qënë profesor i italishtes në Gjimnaz. Partizanët e kishin rrethuar brenda ne shtepi. I bene thirrje per t’u dorëzuar, por ai nuk pranoi. Ndërkohë i vunë zjarrin shtëpisë. Mes zjarrit e flakëve Tarja filloi të qëllojë dhe mundi të vrasë një partizan e të plagosë një tjetër. Pastaj partizanët arritën ta qëllojnë dhe ta lenë dhe Taren të vdekur…
Kjo ngjarje terrori tronditi dhe krijoi një gjendje dëshpërimi në mbarë Gjirokastrën, pavarësisht nga pikpamjet e ndryshme që mund të kishin banorët e qytetit dhe rrethinave.
Marrë nga Muzeu Kokalari 6 korrik 2014
Kjo është pamja e vendit ku ka ndodhur ngjarja.
Godina e madhe djathtas është gjimnazi. Në krah të majtë të tij shkolla “Drita”. Shtëpia në qëndër të fotos është banesa e familjes Kokalari, nga ku ndiqte atë që po ndodhte dëshmitari i ngjarjes Tomor Q. Kokalari së bashku me familjen. Muri rrethues i bahçes, ku u ekzekutuan pjesa më e madhe e të përmendurve. Shtëpia që ju keni vendosur është shtepia ku ka banuar Musine Kokalari, e cila ndodhet pak më lart, aty ku janë qiparisat.
Po ju nis edhe një foto të hershme e Tomor Kokalarit, djali i Qemalit. E cilësoj atësinë, pasi Tomor quhet edhe njëri prej djemve të Hamit Kokalarit.
(material plotësues nga Muzeu Kokalari)
Kapitullimi i Italisë dhe Masakra e Gërhotit
në kujtimet e Tomor Qemal Kokalarit, atëhere 13 vjeçar
Me 15 shtator 1943, Italia fashiste kapitulloi. Atë ditë me kërkesën time, Vedua e bija e Emin Kokalarit më qëndisi një yll. Tepër i kënaqur e vendosa atë në krahëror dhe dola si shumë qytetarë të tjerë të prisja hyrjen e partizanëve, të cilët ishin përreth Gjirokastrës.
Me këtë synim dola nga shtëpia, por sapo mbrrita tek porta e Dalipajve u dëgjuan krisma të forta armësh nga ana e Gërhotit, të cilat vinin duke u dendësuar dhe më pas edhe duke u bërë më të fuqishme…
Siç u mësua më vonë shpërthimet e fuqishme erdhën sepse i qe vënë zjarri depos së armëve dhe municioneve. U mësua se Hysni Lepenica me çetën e tij kishte filluar sulm kundër italianeve të dislokuar në Gërhot. Kjo ishte një gjë e papritur për banorët e qytetit dhe shkaktoi panik të madh. Qytetarët që gjendeshin në Pazar u larguan të alarmuar. Një pjesë e tyre u strehuan tek kubeja e Angonate. Bashkë me ta u gjenda dhe unë. U mblodhëm e u ngjeshëm me njeri-tjetrin aq shumë njerëz sa të zihej fryma. Të gjithë i kishte përfshirë paniku. Dikush tha: “Gjirokastra mori fund. Puna është të shpëtojmë kokën”. Një tjetër iu përgjigj: “Kujt i dhimbset koka të dalë e t’i ngjitet malit”. Dikush tjetër: “Te ikim se italianët do të na therin si kecat”. Këto, e të tjera si këto i bënë njerëzit e mbledhur të vendosnin për të evakuuar kubenë dhe të largoheshin drejt malit. Unë pa u kthyer në shtëpi u bashkova me turmen dhe iu ngjitëm Dunavatit. Mesa dukej e njëjta psikozë ishte krijuar dhe në lagjet e tjera, pasi gjithandej banorët po ngjiteshin drejt malit. Tek kopshtet e Canajve, u takova me Isa Çoçolin dhe fëmijët e tij.
Ishte freskët, ndërsa unë kisha dalë me një këmishë me mëngë të shkurta dhe po ndieja ftohtë. Xha Isai më dha xhaketën e tij, ndërsa vetë u mbështet pas fëmijëve që ishin veshur më trashë. Paniku edhe këtu ishte i madh. Njerëzit ishin të pavendosur, të rrinin aty, apo të vazhdonin të ngjiteshin akoma më lart drejt malit…
Disa vazhduan rrugën, ndërsa xha Isai i dha karar të qëndronim aty dhe ashtu bëmë. Edhe ditën që pasoi zhurma e shpërthimeve që vinte nga Gërhoti nuk rreshti, si pasoje e plasjes së predhave. Por ndërkohë u mor vesh se çfarë kishte ndodhur më saktësisht.
U mësua se Hysni Lepenica dhe 30 besnikët e tij kishin mbetur të vrarë, se italianët ishin larguar dhe në qytet nuk kishte ndonjë rrezik. Rreth orës nëntë u ktheva në shtëpi. Babanë e gjeta në krye të odasë së madhe me Vehip Hasanin, djalin e hallës se tij, duke biseduar e duke pirë raki. Ata e kishin kaluar aty gjithë atë situatë, ndërsa Aneja, Dallëndyshja, Nuriu, Tajari bashkë me halle Nexhmien dhe hallë Haxhenë ishin në Mal të Gjerë. Siç na treguan kur u kthyen, ato ishin ndihmuar gjatë kësaj arratie nga familja e Avdul dhe Sheraf Karagjozit.
Marrë nga Muzeu Kokalari 1 korrik 2014
Leon Lekaj
“…Kam parë me sytë e mi se si ra i vdekur Safedin Hadëri, Tajar Çarçani, Boço Kalo me gjithë djalin e tij Tare Kalo, një intelektual që kishte studiuar në Itali, Hajro Laten, Muzafer Shehu me të birin l4 vjeçar, noteri Emin Kokalarin, ku ka punuar si sekretar prane tij Haki Toska. Vrasja e Tajar Çarçanit ne qiparizat afër gjimnazit do të mbetet një nga skenat më makabre që mund të kujtojë një fëmijë në moshën l2 vjeçare.
Tajari kishte qënë kryetar komune në Fushë-Bardhë dhe pse duhej të pushkatohesh për shkak të detyrës… Ashtu i shtrirë përdhe i kishin dalë trutë jashtë dhe gjaku lagte tokën. Një ngjarkje makabre.”
(Pjesë nga kujtimet e nanës sime, Fatbardha Isuf Jaho)
Marrë nga muri i fb 7 korrik 2014